Dita e dytë dhe e fundit e edicionit të 9-të të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar të Talenteve të Reja, solli në skenën e Pallatit të Kulturës “Ndue Shyti”, Pukë, 7 grupe konkuruese, që nga Drenasi e Deçani, Gramshi, Kamza, Mirdita, Lezha dhe Fushë-Arrëzi, të cilët përmes repertorit të tyre, sollën një nivel të lartë artistik interpretues, si dhe afirmuan individë dhe grupe të spikatura që japin sigurinë e duhur të ruajtjes dhe përçimit të mëtejshëm të vlerave tipologjike të trashëgimisë dhe folklorit.
Në përmbyllje, ashtu siç e do tradita, juria e festivalit shpërndau çmimet përkatëse për grupe dhe individë, ku vendin e parë e meritoi Shoqëria Kulturore “Shote Galica”, Drenas-Kosovë, vendi i dytë për Qendrën Kulturore të Fëmijëve Fushë-Arrëz dhe vendi i tretë për grupin artistik “Kaltërsia”, Kamëz.
Çmimi special i festivalit shkoi për grupin artistik të Deçanit, Kosovë, të cilët me programin e tyre dhe performacën e lartë interpretuese dhe koreografike, sollën në skenë motive patriotike, duke marrë duartrokitjet e shumta të publikut artdashës.
Bashkia Pukë, duke e konsideruar të sukseshëm dhe brenda pritshmërive zhvillimin e këtij manifestimi kulturor mbarëkombëtar, falënderon të gjithë grupet pjesëmarrëse dhe është e hapur për të mirëpritur çdo vërejtje dhe sugjerim dashamirës në adresë të organizimit, duke qenë besimplotë se do të reflektohet në edicionin e radhës, i cili do të jetë me përmasa akoma më të mëdha, me synimin e mirë për ta shndërruar Pukën në atraksion turistik dhe kulturor.
Një falënderim për të gjithë stafin e angazhuar në mbarëvajtjen e festivalit, duke filluar me grupin e krijuar posaçërisht, të drejtuar nga zv. kryetari i bashkisë Ferit Ringaj, koordinatorin Ramazan Ringaj, regjisorin Fran Vukaj dhe stafet e institucioneve kulturore të bashkisë, me drejtuesit e tyre, Pjetër Gjonaj (QKF), Samidije Lamaj (Pallati i Kulturës), drejtorin e shërbimeve komunitare, Demir Syla dhe drejtoreshën e konviktit “Ali Bytyçi”, Vinjola Kuliçaj, të cilët me profesionalizmin dhe predispozicionin e tyre, dëshmuan përgjegjësi dhe impenjim serioz maksimal.
Një falënderim i veçantë dhe për jurinë profesionale të festivalit, të përbërë nga njohës dhe studiues të fushës, me përbërje:
Sabrije Nushi, studiuese, muzikologe;
Minella Kureta, “Mjeshtër i Madh”;
Deli Metaliaj, “Nderi i Kombit”;
Sokol Gjoni, publicist
Padyshim, falënderimi i posaçëm shkon për sponsorët e këtij eventi të madh, të cilët me bujarinë dhe dashamirësinë e tyre, po na mbështesin dhe po i japin Pukës dhe qytetarëve të saj, aktivitete të shumta, që mbajnë gjallë jetën artistike dhe kulturore.
Bashkia Pukë;
Ministria e Kulturës;
Lodovik Hasani, deputet i Kuvendit të Shqipërisë;
Rrok Gjoka;
Pashk Rrapi;
Petrit Syla;
Edi Cara;
Hani i Përparim Laçit;
Bujtina “Oda Kabashi”
Faleminderit për mbështetjen tuaj! Premtojmë, transparencë dhe besueshmëri!