Masivi pyjor i Munellës ndodhet vetëm një hap larg shpalljes si Zonë e Mbrojtur. Në konsultimin përfundimtar që u organizua sot në mesin e organizatës eksploruese, bashkive Pukë, Mirditë dhe komunitetit në zonen e Gjegjanit, i pranishëm ishte dhe kreu i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi.
Kryetari i bashkisë Pukë, z.Gjon Gjonaj dhe ai i bashkisë Mirditë, z.Ndrec Deda e konsideruan shpalljen e Munellës zonë e mbrojtur si një domosdoshmëri që i jepte një tjetër zhvillim turizmit malor në rajonin Pukë-Mirditë.
Eksprtët mjedisor të cilët janë marr me studimin e Munellës e vleresuan ata, një një pasuri të shquar të natyrës shqiptare, e cila për vetë faktin se është strehë e Rreqebullit të Ballkanit ka rëndësi më shumë se sa kombëtare.
Takimi është përshëndetur dhe nga zëvëndësambasadorja e Austrisë në Shqipëri, e cila vlersoi nismen, teksa solli eksperiencen e vendit prej nga vjen, duke ju apeluar malësorve të këtyre anëve të ruanin dhe të tregonin kujdes për mjedisin natyror, një pasuri që jo çdo kush ka fatin ta ket, siç u shpreh diplomatja austriake.
Ministri Klosi në fjalen e tij i ftoi banorët e zonës që të tregonin kujdes për Munellen, ta ruanin si një pasuri e çmuar, jo vetëm për zonen, pasi vetëm përmes ruajtjes, Munella mund të kthehej në një pasuri që gjeneron të ardhura për brezat përmes zhvillimit të turizmit malor.
Më tej banorë të zonës kanë përkrahur iniciativen, teksa kërkuan nga drejtuesit vendor dhe kreu I ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të ndalonin shpërthimet dhe ndotja në minjeren e Munellës dhe të mos jepeshin leje për ndërtimin e hidrocentraleve, siç po ndodh në zonat jo shumë larg Munellës.
Teksa ministri Klosi tha se shpallja e Munellës si zonë e mbrojtur pritej të dërgohej në këshillin e ministrave para fillimit të sezonit veror, kryebashkiaku i Pukës, Gjonaj e ka konisderuar këtë si një tjetër mision të përmbushur nga ana e tij.
Masivi Pyjor i Munellës shtrihet në pjesen më të madhe të tij në territoret e bashkive Pukë dhe Mirditë, teksa Munella e konsideruar si streha e vetme e Rreqebullit të Ballkanit shtrihet dhe në bashkitë Kukës e Fushë Arrëz.