𝗨𝗿𝗶𝗺 𝗺𝗲 𝗿𝗮𝘀𝘁𝗶𝗻 𝗲 𝘃𝗶𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗿𝗶 𝘀𝗵𝗸𝗼𝗹𝗹𝗼𝗿/
Të dashur nxënës!
Të respektuar kolegë mësues!
Të nderuar prindër!
Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e vitit të ri shkollor 2023-2024 t’ ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, për sa më shumë suksese në rrugën e dijes e të zhvillimit arsimor!
Në mënyrë të veçantë, uroj vogëlushët dhe vogëlushet që për herë të parë, hyjnë në udhën e bukur e të pafund të diturisë; ata që janë sot shpresa, krenaria dhe dashuria e prindërve dhe gjyshërve të tyre, por njëkohësisht, edhe e ardhmja e jonë.
Të nderuar mësues dhe nxënës, punë të mbarë e suksese në vitin e ri arsimor.
Ne jemi me ju dhe vlerësojmë lart punën dhe përpjekjet tuaja.
Siguroj si nxënësit, punonjësit arsimorë, ashtu edhe prindërit, se Bashkia Pukë do të mbështesë me të gjithë potencialin e saj procesin edukativo-mësimor.
Ne kemi bërë gjithçka në përgatitjen e objekteve shkollore në mënyrë që të jenë gati me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Le të jetë ky vit shkollor, një vit i ngritjes në një nivel më të lartë të;
-Cilësisë së shkollimit dhe edukimit, duke nisur nga themeli i gjithçkaje, edukata familjare,
-Shtimit dhe respektimit të virtyteve njerëzore,
-Rritjes së ndjeshmërisë të secilit mbi të drejtat dhe detyrat.
Urime dhe suksese në vitin e ri shkollor!
Përzemërsisht, Rrok Dodaj