Nisur nga situata e krijuar, sot rreth mesditës në rrugen kryesore të qytetit të Pukës, ku disa automjete, në mbështetje të një subjekti politik u parkuan në mes të rrugës kryesore të qytetit duke krijuar një situatë të pazakontë për një qytet si Puka, bashkia Pukë ju bën thirrje të gjithë subjekteve politike:
Ju lutem respektoni rregullat e funksionimit të qytetit. Puka është e të gjithve dhe nuk mund të mbetet peng i subjekteve politike, të cilat së pari duhet të respektojnë ligjin dhe rregullat e funksionimit të qytetit.
Askush nuk mund të jetë shpresdhënës kur në kërkim të mbështetjes për të qeverisur, shkel ligjin dhe krijon situata si ato që u krijuan sot.
Bashkia Pukë duke përshëndetur Policinë e Shtetit për respektimin e ligjit, fton çdo subjekt politik që të shmang shfaqje të tilla të demonstrimit të mungesës së respektit për Puken dhe pukjanët.
Nëse dikush e konsideron Pukën ende si zonë rurale të Shqipërisë dhe qytet që mund të mbushet me makina elektorale të ardhura nga qytete të tjera, kjo nuk është as më shumë e as më pak se mungesë respekti për qytetin dhe banorët e tij.
Puka ka nevojë për respekt! Nuk ju duhen më pukjanëve zhurmat e makinave elektorale, flamujt, thirrjet jo normale që ngjajnë me fushatat e shumë viteve më parë. Aq më tepër në këtë situatë pandemike, ku shëndeti është më i rëndësishëm se çdo gjë.
Bashkia Pukë falenderon të gjithë subjektet politike për qetësinë dhe kulturen me të cilen po zhvillojnë fushaten elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit, por dhe për respektin e treguar ndaj qytetit. Kjo është mënyra me e mira për të treguar kulturen dhe traditen që ka karakterizuar gjithnjë Puken, sepse në fund të çdo ndasie, të gjithë jemi një. Të gjithë ndihmojmë njëri-tjetrin në çaste të vështira, të gjithë ngushëllojmë e marrim pjesë në raste dhimbje, ashtu siç urojmë në raste gëzimi.
Puka është shtëpia e përbashkët e çdo pukjani, ndaj nuk do të tolerojmë asnjë subjekt politik, cilido qoftë ai, që të shfaqe manifestime si ato që u treguan sot me bllokimin e rrugës kryesore të qytetit nga makina të ardhura nga Shkodra.
Të gjithë të shpalosin programet e tyre, të bëjnë takime e të zhvillojnë fushaten siç ata e kanë zgjedhur, por duke treguar respekt për qytetin, se kjo është fushata më e mirë.
Bashkia Pukë duke falenderua për fushaten e zhvilluar deri tani të gjithë subjektet politike, i fton ata për respektimin e ligjit kryesisht me sjelljen ndaj qytetit dhe hapsirave publike, por dhe në mbrojtjen e shëndetit në situaten e pandemisë që ende është prezent ndër ne.
Ju faleminderit!