Të dashur nxënës,
Të nderuar mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore në bashkinë Pukë,
Të dashur prindër!
Në prag të fillimit të vitit të ri mësimor 2020 – 2021 kam kënaqësinë e veçantë si Kryetar i Bashkisë Pukë t’ju përshëndes e t’ju përcjell urimet më të përzemërta.
Viti i ri mësimor shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur për Pukën.
Si gjithnjë, urimi i parë shkon për të gjithë ata nxënës, që për herë të parë këtë 14 shtator do të ulen në bankat e shkollës. Udhë të mbar në rrugëtimin tuaj të bukur drejt dijes!
Në mënyrë të veçantë, ju përgëzoj dhe uroj ju nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Qoft ky vit shkollor, viti i arritjeve dhe sukseseve tuaja drejt realizimit të ëndrrave tuaja për të ardhmen!
Përzemërisht urime dhe suksese për nxënësit e shkollave të mësme në Pukë, Gjegjan, Gojan e Qelëz. Ju lutem merreni seriozisht këtë vit, shfrytezojeni për të qartësuar idet mbi ecurinë tuaj të mëtejshme në kërkim të dijes e të një profesioni të duhur e të përshtatshëm në të ardhmen.
Fillimi i vititi të ri mësimor është edhe dita juaj, të dashur mësues. Me kënaqësi shpreh vlerësimin tim dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurin e durimin që Ju dini të dëshmoni dhe transmetoni në misionin tuaj për edukimin e brezave të ardhshëm.
Ky vit është disi më i veçant për të gjithë ne, ashtu sikurse për të gjithë boten. Ndaj, ju lutem, vendosini të gjithë energjitë tuaja në shërbim të nxënësit, me qëllim përmbushjen e boshllekut që u shkaktua vitin e kaluar si pasojë e ndërprerjes fizike të proçesit mësimor, por dhe si dëshmi e fortë se Ju mund të jeni garancia për krijimin e një të ardhmje të ndritur për Pukën.
Fort të nderuar mësues!
Në kushtet e një situate pandemie që po kalon gjithë bota, jeni të lutur të bëni durim dhe të vini në krye të punës tuaj masat ndaj COVID-19 , si dhe edukimin e nxënësve tuaj për tu mbrojtur. Fillimi i vitit të ri shkollor na vendos përpara një sfide të madhe, që vetëm periudha në vijim do të na e dëshmoi sa do i’a dalim. Mos hezitoni Ju të parët të vendosni maskën, të ruani distancën dhe në çdo orë mësimi t’ju kujtoni nxënësve tuaj se tashmë është e domosdoshme të mbrohen.
Një pakujdesi e vogel mund t’ju kthej Ju dhe nxënësit tuaj në mbartës duke u bër shkak për transmetimin tek pjestarët e tjerë të klases, shkollës, familjes dhe komunitetit.
Ndjehem i lumtur që në diten e parë të shkollës, sipas dhe iformacioneve nga strukturat përgjegjëse nuk kemi asnjë mësues të prekur nga COVID-19, e po kështu asnjë nxënës të vertetuar si i prekur.
Të dashur nxënës dhe mësues, kudo ku jeni,
Me lejoni t’ju uroj suksese e mbarësi në rrugëtimin drejt dijes, me shpresen se do ti kalojmë vështirësitë me të cilat po na përball situata pandemike.
Së fundmi, një falenderim dhe për të gjithë ata që u angazhuan pakufishëm që në diten e parë shkollat në juridiksionin e bashkisë të jenë gati me çdo element, duke qëndruar mbi tentativen për për të hedhur balt të gjithë asaj pune dhe shpifjet e politikes se shkollat nuk janë gati.
Të dashur, nxënës, mësues e prindër, çdo institucion arsimor është gati me të gjithë elementet (shërbime në infrastrukture, shërbime higjeno-sanitare, hidraulike, elektrike, dezinfektim etj). Drejtorët e shkollave janë pajisur dhe detergjentët e dezinfektatet që uroj të përdoren me korrektësi me qëllim mbrojtjen.
Bashkia do të jetë pranë shkollës çdo ditë në përmbushje të çdo kërkese që ndikon tek mbarvajtja dhe përmbushja e objekteva për shkollë cilësore dhe të sigurt.
Gëzuar dhe suksese në vitin e ri arsimor 2020-2021!
Gjon GJONAJ
Kryetar i Bashkisë Pukë