Bashkia e Pukës është një ndër zonat e pasura minerare të vendit, e cila disponon gjithashtu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Megjithatë, prerja pa kriter e pyjeve ka shkaktuar jo pak probleme për këtë zonë.
Mbyllja e minierave apo dhënia e tyre me koncesion ka shtuar numrin e të papunëve në Pukë, duke e kthyer varfërinë në një problem akut për banorët e zonës. Për shkak të saj, një pjesë e mirë e popullatës ka migruar në drejtim të Shqipërisë së Mesme ose emigruar jashtë Shqipërisë. Të ardhurat nga emigracioni janë një burim i rëndësishëm mbijetese për këtë bashki.
Prej vitesh në këtë zonë kanë munguar investimet me rëndësi, ndërsa rruga Durrës-Kukës e ka aneksuar dhe izoluar edhe më shumë Bashkinë e Pukës.
Terreni malor i Pukës është shumë i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit malor; krahas pasurive dhe burimeve natyrore me vlera të mëdha ekonomike që gjenden brenda hapësirës gjeografike të Pukës, kryesisht pyje natyrore, bimë mjekësore, pasuri nëntokësore minerare.
Gjatë viteve të fundit, një numër i vogël turistësh janë rikthyer në Pukë për shkak të hapjes së një piste skish dhe ndërtimit të disa haneve. Megjithatë, numri i tyre vazhdon të mbetet i ulët.
Problem për Bashkinë e Pukës vijon të mbetet stina e dimrit, ku bllokimi i rrugëve nga dëbora izolon një pjesë të mirë të zonës dhe vështirëson edhe më shumë jetesën e banorëve.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore konsiderohet një ndër sfidat kryesore për Bashkinë e re të Pukës. Rrugët dytësore që lidhin fshatrat e Gjegjanit, Qelëz dhe Luf-Qerretit me qytetin e Pukës dhe dërgimi i shërbimit shëndetësor në këto fshatra ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve.
Përpunimi i drurit shihet si një aktivitet me rëndësi për gjallërimin ekonomik të zonës, por ky aktivitet duhet shoqëruar me kritere të rrepta në shfrytëzimin e fondeve pyjore. Paralelisht me këtë aktivitet, mbështetja e bujqësisë dhe e blegtorisë konsiderohet e domosdoshme për zonën e Pukës.
Mbështetja e biznesit fason për hapjen e fabrikave në këtë bashki mendohet si një mundësi e mirë për punësimin e grave dhe vajzave si dhe për gjenerimin e të ardhurave. Nxitja e aktiviteteve të vogla ekonomike në Bashkinë e Pukës do të ishte më e dobishme nëse fokusohej në traditat ekzistuese artizanale dhe prodhimin e bimëve mjekësore apo produktet e drurit.
Për zhvillimin e turizmit në zonën e Pukës nevojitet promovimi i turizmit familjar në gamën e mundësive të zhvillimit ekonomik.