Reshjet intensive të datës 22 nëntor që përfshinë territorin e Bashkisë Pukë krijuan problematika të mëdha në akset rrugore që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin në të gjitha Njësitë Administrative.

Rrëshqitjet e gurëve dhe të dherave kanë pamundësuar qarkullimin e automjeteve në disa akse lidhëse, si dhe fryrja e përrenjve ka dëmtuar ura të ndryshme duke izoluar shumë fshatra. Erërat e vrullshme kanë dëmtuar disa shtëpi, si dhe spitalin e qytetit, konkretisht pavionin e Patologjisë dhe të Pediatrisë.
➡️ Përpos ndërhyrjeve me mjetet e Bashkisë dhe punonjësit e shërbimeve, sërisht shfaqen probleme në shumë akse.
📢 Apeloj strukturat e Emergjencave Cvile rajonale dhe kombëtare për mbështetje, pasi reshjet e herëpashershme dhe mungesa e mjeteve të duhura po krijojnë vonesa në zhbllokimin e plotë të rrugëve dhe rikthimin e normalitetit.
Gjej rastin të falënderoj “MC- ENERGJI GOJAN” SH.P.K me administrator z. Mark Luli, i cili ofroi mbështetjen e tij për zhbllokimin e rrugës në fshatin Shkozë, Njësia Administrative Gjegjan, ku me mjetet e kompanisë është punuar gjatë gjithë orëve të mbrëmjes së djrshme dhe të orëve të para të ditës së sotme duke bërë të mundur hapjen e plotë të këtij aksi.
Një falënderim dhe për kompaninë “ALBSIG”, e cila në një kohë rekord mundësoi mbështetjen e saj për çatinë e spitalit të Pukës, duke rehabilituar dëmin e shkaktuar nga stuhia e pak ditëve më parë si dhe duke rikthyer normalitetin pranë dy pavionëve të Patologjisë dhe Pediatrisë.
‼️Ndjekim me vëmendje të shtuar situatën, ku krahas ekipit të emergjencave civile të Bashkisë, që monitoron dhe po vlerëson dëmet e krijuara, janë në terren dhe punonjësit e shërbimeve së bashku me administratorët, të cilët raportojnë mbi situatën dhe sigurojnë ndërhyrjen e parë për të evituar ndonjë rast eventual.