Pyjet dhe kullotat janë një aset i madh natyror dhe një pasuri e çmueshme e jona, ruajtja dhe menaxhimi i të cilave kërkon një përgjegjësi konkrete dhe një angazhim maksimal të të gjithëve!

Në takimin e sotëm me punonjësit e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, u ndala në problematikat e shfaqura në menaxhimin e pyjeve, duke adresuar përgjegjësitë, si dhe duke kërkuar marrjen e masave të mënjëhershme për përmirësimin e gjendjes dhe vlerësimin real të situatës.
Gjithashtu, dhashë porosi të qarta për hartimin e një plani rigoroz që i shërben furnizimit të banorëve me dru zjarri, por njëkohësisht vura theksin tek koordinimi i strukturave të Bashkisë në parandalimin e fenomenit të prerjeve të paligjshme dhe çuarjen para ligjit të kundravajtësve.
Zhvillimin ekonomik të Pukës e kemi mbështetur në një vizioni të qartë dhe afatgjatë, ku pyjet dhe turizmi janë piketat bazë mbi të cilat ne kemi hartuar prioritetet.
Nga ky takim përcolla dhe një mesazh për ish-kryebashkiakun, i cili teksa po përjeton ndjesinë e vetmisë së madhe dhe të përbuzjes nga qytetarët për shkak të arrogancës dhe fodullëkut me të cilën drejtoi këtë institucion për 8 vite, sajon nga mendja e tij diabolike intriga nga më të padëgjuarat.

Turin e takimeve për buxhetimin me pjesëmarrje e filluam në Njësinë Administrative Gjegjan.

Së bashku me banorët konsultuam projektet tona për të ardhmen dhe zhvillimin e saj, për këtë zonë me njerëz mikëpritës dhe me potencial të madh zhvillimi.
Dëgjuam idetë dhe propozimet e banorëve për buxhetin e vitit 2025 dhe Paketën Fiskale, pasi zëri i tyre ka një rëndësi të veçantë që projektet, investimet dhe shërbimet të plotësojnë nevojat konkrete të komunitetit.