Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren mallet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me siperfaqe të eroduara, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.  Ketu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si dhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shetitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese. Ky është një sektor në zhvillim e që mund të sigurojë të ardhura të shumta por që deri tani nuk i është treguar interesi i duhur, ndaj kësaj zone që meriton një vëmendje të veçantë.

DISA ASPEKTE HISTORIKE

Në kronikat hartografike është shumë e përmendur dhe studiuesit vendas përmendin sesi Ptolemeu nuk e shënon rastësisht qytetin Ad Picaria, ashtu siç nuk mund të shënonte rastësisht qytetet e njohura para tij, si Lissus dhe Skodra. Prandaj, Ad Picaria në shek. II, afro 1800 vjet më parë bëhet i njohur si qytet në brendësi të vendit. Në vazhdim, në shek III-IV, në Tabulla Peutingeriana, në Itinerarët (harta të rrugëve antike), Ad Picaria shënohet fill pas qyteteve Skodre dhe Lissum, XXX milje në verilindje të Lezhës. Mbas shek. VI, Ad Picaria nuk gjendet e dokumentuar. Ç’ndodhi me të? Shuflai (historian kroat, studiues I historisë mesjetare shqiptare), thotë se shumë qytete të Ilirisë u dogjën dhe u shkatërruan gjatë pushtimeve të fiseve barbare. Këtë fat pati, pra, edhe Ad Pikaria. Ndërsa Puka del e dokumentuar vetëm në veprat e Prokopit të Çezaresë (historian i madh bizantin i kohës së Perandorit Justinian).

RESURSE NATYRORE

  1. Shpella e Kaurit

Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës. E formuar si shpellë karstike në gëlqerorët e trias – jurasit, është e gjatë 250 m, e gjerë dhe e lartë 3 m, me kaonkrecione të shumta. Vizitohet sipas rrugës rurale Pukë – Levrushk.

  1. Fosilet amonite të Triaskut të Poshtëm në Kçirë

Gjenden në fshatin Kçirë, 600 m mbi nivelin e detit. U studiuan nga gjeologu austriak F. Nopca. Fosilet e spacieve Sagaceras albanikum, Pronorites osmanicus, Procarnites scanderbegis, etj. dalin në një territor 4500 m2. Vizitohet me rrugën Pukë – Kçirë

  1. Peneplena e Gomsiqes

Ndodhet afër fshatit Gomsiqe, 800 m mbi nivelin e detit. Përbën mbetje të peneplenës tortoniane: sheshimi i relievit nga veprimi i faktorëve të jashtëm (erozionet, etj.), para 17 milion viteve, në kushtet e qetësisë relative të lëvizjeve tektonike diferencuese. Ka formën e një pllaje të sheshtë: 1,5 km e gjatë, 700 – 750 m 3 gjerë. Vizitohet me rrugën

Pukë – Gomsiqe.

  1. Guri i Shenjtë

Ndodhet afër fshatit Zezaj, 538 m mbi  nivelin e detit. Është një gur graniti me formë shumëkëndëshi. Legjenda e lidh me Skënderbeun. Vizitohet sipas rrugës rurale Pukë – Zezaj.

  1. Gështenja e Kokdodit

Gjendet 981 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Kokdode, komuna Iballë.  Përbën pyll gështenjë kali (Aesculus hippocastanum L.), rreth 10 ha, me lartësi 15 – 17 m, diametër të trungjeve 100  – 130 cm, moshë mbi 100 vjet. Vizitohet me rrugën Pukë  – Iballë  –

Kokdode.

  1. Bungat e varrezave në Korthpulë

Gjenden në varrezat e fshatit Korthpulë, komuna Luf, 500 m mbi nivelin e detit. Janë dy drurë bunge, me lartësi 15 – 16 m dhe perimetër kurorë të përbashkët 70 – 75 m, diameter trungu 1 – 2 m e moshë mbi 300 vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Pukë  – Gomsiqe – Korthpulë.

  1. Qarret e varrezave të Shënkollit në Kryezi

Gjenden afër fshatit Kryezi, komuna Qafe – Mal, prane kishes se Shenkollit, 600 m mbinivelin e detit. Jane 5 qarre me lartesi 20 – 25 m, diameter 90 – 100 cm e perimeter 180 200 cm, moshe mbi 250 vjet. Vizitohen sipas rruges rurale Fushe – Arrez – Kryezi.

  1. Qarri i Xhamisë së Kryeziut

Gjendet në varrezat e fshatit Kryezi (Brahaj), komuna Qafë  – Mal. Ka kurorë ovale, lartësi 10 – 12 m, diametër trungu mbi 30 cm e perimetër 350 cm dhe moshë mbi 250 vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Fushë – Arrëz – Kryezi.

  1. Ujëvara e Kryeziut

Ndodhet në fshatin Kryezi, komuna Qafë Mali. Është në perroin e Oroshit, në shkëmbinjtë magmatike. Ka dy pragje 3 – 4 m lartësi secili dhe dy pellgje me thellesi mbi 1m. Vizitohet sipas rrugës Fushë – Arrëz – Kryezi.

  1. Mrizi i Ndërlugjeve

Ndodhet 800 m mbi nivelin e detit, afer fshatit Meçe, në komunën Rrapë. Jane 4 drurë bunge 200 vjeçare me lartësi 15 – 16 m, diametër të trungut 90 – 100 cm e perimetër 1,7 – 2 m. Vizitohen me rrugën Pukë – Meçe.

  1. Mani i Zi

Gjendet 800 m mbi nivelin e detit, pranë qytetit të Pukës. Eshte man i zi i veçuar, me lartësi mbi 9 m, diametër të trungut mbi 1 m, moshë rreth 100 vjet. Vizitohet kur shkon në qytetin e Pukës.

  1. Hurdha e Tisit

Ndodhet 650 m mbi nivelin e detit, në luginën e Gomsiqes, pranë fshatit Pevzhë, komuna Tërbun. Përben dru tisi, me lartësi mbi 9 m, diametër të trungut mbi 80 cm, moshë rreth 100 vjet. Vizitohet sipas rrugës Pukë – monumenti (4 – 5 km). 13. Sofra e Lekës Gjendet 350 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Kabash, komuna Rrapë është një sofër guri mbi 7 m2, rreth së cilës mendohet se Lek Dukagjini zhvillonte kuvendet. Vizitohet sipas rrugës Pukë – Kabash.

  1. Karsti i Munellës

Gjendet afër fshatit Tuc, komuna Qafë  – Mal, në kurrizin e malit të Munellës, 1800  – 1990 m mbi nivelin e detit. Perfaqëson peisazh karstik me gropa, hinka, puse karstik, etj. Vizitohet sipas rrugës Fushe Arrëz – Mali i Munellës.

  1. Pisha e Dardhës

Gjendet rreth 450 m mbi nivlin e detit, në varrezat e fshatit Dardhë, komuna  Blerim. Është pishë e zezë (Pinus nigra), me lartësi 25  – 30 m, diametër trungu mbi 250 cm e perimetër mbi 750 cm, moshë mbi 100 vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Fushe Arrez – Dardhë (30 km).

  1. Akacjet e Migjenit

Ndodhen tek muzeu i Migjenit ne qytetin e Pukes. Jane disa akiacie, nen hijen e te cilave pushente poeti i madh Migjeni.

  1. Pisha e Shejzës

Ndodhet afër fshatit Iballë të Pukës. E vetme midis shkurresh, është e lartë mbi 20 m, me diametër të trungut rreth 50 cm e perimetër mbi 1,5 m dhe moshë mbi 200 vjet. Vizitohet sipas rrugës rurale Fushë Arrez – Iballë.

MONUMENTE KULTURE

Kulla me Karakoll Kokdodë

Kur Edit Durham kaloi, më 1908-n në këtë fshat të Pukës do t’i bënte përshtypje një banesë tepër e veçantë. “Është banesa më interesante që pashë në Shqipërinë e Veriut”, – do të shprehej studiuesja angleze për banesën-kullë në fshatin Kokodë të Pukës që fatkeqësisht sot përbën ekzemplarin e vetëm të këtij tipi banese në Shqipëri Në Shqipërinë e Veriut deri para disa viteve ruheshin tre banesa të quajtura kulla me karakoll. Karakolli ishte një ndërtim një kat më i lartë se ambientet e banimit me perimetër të vogël, i pajisur me frëngji dhe shërbente vetëm për mbrojtjen e banorëve të kësaj banese. Njëra prej këtyre banesave u përmbyt nga liqeni i Fierzës në fshatin Dardhë të Pukës. Tjetra në rrethin e Hasit do të rezistonte, por pa mundur të ekzistojë deri më sot. E vetmja “dëshmi” e këtij lloji banese është në fshatin Kokdodë të Pukës. E braktisur nga banorët e saj që prej pesë vitesh dhe e harruar nga institucionet shtetërore, banesa-kullë është në prag të shkatërrimit total edhe se çatia është tepër e dëmtuar. E ndërtuar në mesin e vitit 1800 ajo dallon tipologjikisht nga gjithë banesat-kullë të krahinës. Ndërsa interesi ndaj saj shtohet edhe nga mjeshtëria dhe mentaliteti i gdhendjeve të shenjave në gurët e qosheve të kësaj banese, të cilat ruajnë kode të lashta të jetës së banorëve të krahinës.  Kode që koha në shumicën e rasteve i ka zhdukur si shpagim edhe për indiferencën e njerëzve që duhet të mbajnë përgjegjësi për “humbjen”.

Dera e 1800 e kishës së Arst-Miliskaut

Në gusht të vitit 2008 u evidentua, se pranë kishës së Arst-Miliskaut në Rrethin e Pukës, ruhet një derë druri e gdhendur e viteve 1800. Dera u gjet e përmbusur në baltë e rrezikuar që nga kalbja të shkatërrohej plotësishtë. Dera ka qenë e kishës që në fillimet e viteve 1800, dhe është rivendosur edhe pas riparimeve që i janë bërë ngrehinës disa herë gjatë shekujve të fundit. Ajo paraqet mjaft interes për traditën e dekoracionit arkitektonik të faltoreve të lashta dhe të kishave në Shqipërinë e Veriut. Në vendin tonë ruhen vetëm dy dyer të objekteve fetare të kësaj periudhe. Në pjesën e sipërme, dera ka një diell me rreze, i cili haset shpesh në gdhendje me gur, qëndisje, në veshjet me endje tradicionale popullore shqiptare. Ky është një motiv shumë i vjetër në Ballkan. Ai është shumë i ngjashëm me atë të Mbretit të Maqedonisë, Filipi II. Dera e kishës së Arst Miliskaut ruan edhe gdhendje të lehta me motive gjeometrike, të cilat janë modele të punuara tradicionalisht në gdhendjet e furkave, djepave dhe orendive të tjera në vendin tonë. “Rikonstruksioni grafik i këtyre tre elementeve, të derës, dy shenjtorëte gdhendur në gur, si dhe të simboleve të tjera të gdhendura gjithashtu në gurë na rezulton si një ‘ikonostas’ me shumë interes, në të cilin paraqiten objekte përfaqësuese pagane dhe të krishterimit katolik. Kisha e Zojës Shna Prende

Në fshatin Kryezi është kisha shumë e vjetër e Zojës Shna Prende. Popullsia e krahinës ruan një respekt dhe besim të thellë për këtë shenjtore të Krishtërimit. Është kishë me besim të fortë dhe që është bërë shpëtim për shumë njerëz dhe në shumë breza. Për këtë kishë ruhen dhe tregohen dhe gojëdhëna, që janë jehonë dhe besim i lashtësisë së saj. Të moshuarit mbajnë mend, por dhe tradita ruan kujtesën, se tek kjo kishë vinin vizitorë të shumtë në ditën që i kushtohet kësaj Zoje Shnjëtore. Disa thonë se këtu mblidheshin besimtar katolik dhe me besim mysliman dhe luteshin, kryesisht gra që kishin probleme që të lindnin dhe të ju jetonin fëmijët. Në vitin 1967, kisha u mbyll dhe pas pak kohe ajo u rrenua, sa edhe themelet u punuan me traktor, u prenë lisat e medhenjë dhe të moçem, gurët e mureve u shpërndanë. Është fat se dikush nga besimtarët ruajti dy qoshe guri të gdhendur të derës, njëra me Kryqin dhe tjerta me shenjën e lashtë të praktikuar nga krishterimi në formën X, germë që perkon me germën e parë të mbiemrit të Jezu Krishtit (Xristo). Në verën e vitit 2008 filloi puna për rindërtimin e kësaj kishe të vogel, por e madhe nga shenjtërimi. Nga viti 1932 kemi një shenim nga At Gjon Karma, për këtë kishë: “Në lagje Gegaj gjindet Kisha e Shna Prendes, me nji lter të herëshem, rrethue me lisa të naltë e të moçëm. Për Festë të kësajë Shejtneshë ndezin qira’ e bajnë edhe darken për miqësi.” Shenjtorët e gdhendur në gur, Shën Nikolla dhe hyjnesha shenjtore e pjellorisë Në kishën e lashtë të Arst-Miliskaut në Rrethin e Pukës ruhen dy ikona të vje tra të gdhendura në gur. Gdhendjet e hershme me subjekt fetar dolën në dritë gjatë rindërtimit të kishës, e cila sot njihet me emrin Kisha e Shëngjonit. Dy ikonat të cilat mendohet se
përfaqësojnë figurën e Shën Nikollës dhe të një Shenjtoreje-Hyjneshë, janë të gdhendura në gur me modelin tradicional të punimit të drurit. Sipas studiuesit Jaho Brahaj, specialist në Qendrën e Regjistrimit të Pasurive Kulturore, ikonat paraqesin dy shenjtorë të periudhës, kur ende nuk ishin kristalizuar rregullat e pasqyrimit të tyre me aeurolë (brerore). Ruajtja e këtyre dy figurave të lashta religjioze në gur është rast i veçantë, por kjo shpjegohet me kushtet dhe rrethanat historike dhe të pozicionit gjeografik të kishës në fjalë. Sipas Brahajt, kisha ndodhet në një fshat i cili nuk është në një pozicion të favorshëm, asnjëherë nuk arriti të marrë titullin famulli, pra asnjëherë ajo nuk pati një prift në krye të saj. “Mbahej meshë, ceremoni fetare vetëm në ditën kur vinte pajtori ose në ndonjë rast kur kishte mundësi të vinte prifti për ceremoni varrimi.  Nga dokumentacioni që njohim, kjo kishë ka ndërruar të paktën tri herë emrin. Në fillim të shekullit XVII, na rezulton me emrin Kisha e Shna Prendes, në fund të këtij shekulli me Kisha e Shën Nikollit, ndërsa sot ajo i kushtohet Shën Gjonit”, tregon studiuesi.

Biblioteka e qytetit
Zanafilla e bibliotekës së qytetit të Pukës është në vitin 1953, kur shërbente si sallë leximi; Në vitin 1959 u emërtua zyrtarisht “Biblioteka e qytetit të Pukës” (ish kino- klubi i qytetit); Sot numërohen mbi 60 mijë libra,nga të cilat mbi 45 mijë janë botime në shqip. Një vend të rëndësishëm zënë botimet e autorëve pukjanë. Biblioteka pasurohet vazhdimisht me botimet e reja në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja; Në vitin 1974 u ndërtua Pallati i Kulturës Pukë, ku gjendet fondi i bibliotekës dhe salla e leximit. Si aneks më vete është edhe “Biblioteka për fëmijë” e pajisur me një fond të pasur për lexime nga moshat e vogla. Një vend të veçantë zë edhe “Periodiku”,ku mbahen gazetat e revistat, sidomos ato të para viteve ’90 (1968-1991).

AKTIVITETE

Alpinizëm

Alpinizmi  është një nga atraksionet kryesore të rrethit të Pukës. Puka ka një ekip alpinizmi. Nga gjiri i këtij ekipi kanë dalë mjaft alpinistë të shquar. Disa prej tyre kanëmarrë pjesë edhe në aktivitete ndërkombetare, madje njëri prej tyre, Z. Përparim Laci, ka qenë pjestar i ekipit Shqiptar që është ngjitur në Himalaje në vitin 2004.

Gjueti

Puka është një zonë e njohur për kushte ideale për gjueti. Në sezonin e gjuetisë janë me dhjetra gjuetarë nga vendi që vijnë për të gjuajtur në Pukë. Vitet e fundit është rritur mjaftedhe prania e gjuetarëve të huaj veçanërisht nga Italia të cilët vijnë të ushtrojnë pasionin për gjuetinë në pyjet dhe malet e Pukës Turizmi malor detyrimisht kërkon infrastukturë të përshtatshme.

Shëtitje

Shëtitje të mrekullueshme mund të realizohen në çdo zonë të Pukës. Gjate qendrimit tuaj në Pukë  ju keni mundësinë të shëtitni në relievin kodrinor e malor të kësaj zone, që ndërpritet shpesh nga gryka, hone e kanione mahnitëse, pyje të dendura e livadhe, kafshë e shpendë të egra, përrenj, ujvara e liqene me bukuri të rralla si psh, në Tërbun e LivadhKabash. Këto mjedise turistike mund të shfrytëzohen n periudhën maj-tetor që përkon me periudhën e thatë kur, megjithë mangësitë e infrastrukturës spostimet me mjete dhe shëtitjet në natyrë janë lehtësisht të mundura.  Është mirë që gjatë këtyre shëtitjeve të shoqëroheni nga guida vendase (informacion më të detajuar rreth tij do të gjeni në hotel).

Shëtitje në Liqen

Një alternarivë tjetër që meriton vemendje është shëtitja në liqen që realizohet nëpërmjet varkave të vogla në liqenin e Komanit dhe të Fierzes me gjatësi rreth 98 km. Spektakli natyror dhe bukuritë joshëse janë shoqërueset e këtij udhëtimi të rrethuar nga shkëmbinj që bien thik mbi sipërfaqen e ujit. Ngjyra e kaltër në të gjelbër e këtyre ujërave pasqyron bimësinë pyjore të shpateve.

Speleologji dhe trekking

Gjatë pushimeve tuaja mund të vizitoni shpellën e “Murgjeve” apo sic njihet në gjuhën vendase shpella e “Kaurrit” rreth 80 m e gjatë e ndarë në dy kate. Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë shpellë është hyrja nga liqeni. Në hyrje të shpellës mund të shikoni disa mure të vjetër të ndërtuar nga murgjit.

Ture çiklistike

Ture të ndryshme  çiklistike malore mund të zhvillohen përmes lumenjve të kësaj zone. Janë qindra kilometra që kalojnë përmes panoramave mahnitëse që ofron zona e Pukës dhe që mbeten në memorien e çdo çiklisti me dëshirën për t’u rikthyer në këto vende e për të eksploruar rrugë të reja e të paasfaltuara. KajakThyerja e relievit, pyjet dhe në përgjithësi kompleksi natyror që paraqet Puka me variacionet dhe kontrastet e tij, mundëson turizmin e aventurës të njohur si tracking. Ky sport mund të ushtrohet mjaft mirë gjatë stinës së pranverës dhe vjeshtës, kur lumenjtë janë të rrëmbyer për shkak të shirave dhe dëborës që është shkrirë.